Shqipëria do të ndihmojë Italinë në zgjidhjen e situatës së krijuar nga bllokimi i 150 emigrantëve te anijes “Diccioti” e bllokuar prej ditësh në portin e Katanias duke u ofruar të strehojë një pjesë prej tyre. Burime të Tv Klan thanë se mes dy qeverive është rënë dakord që vendi ynë të marrë 20 emigrantë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati njoftoi në Twitter se Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj modest për përballimin e kësaj situate.

“Itali, ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithmonë këtu, nga ana tjetër e një deti ku ishim ne dikur ata eritreas që vuajnë ditë e natë në mes të detit, në pritje që Evropa të zgjohet!!!  Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të ndihmojmë”.

Ministri Bushati zhvilloi edhe një bisedë telefonike me homologun e tij italian Enzo Moavero Milanesi, i cili falenderoi qeverinë shqiptare edhe publikisht me një postim online duke e konsideruar “

një sinjal i një solidariteti të madh dhe një miqësie të vlerësuar mjaft nga Italia”.

Sakaq, situatat sanitare në anijen ‘Diciotti’ mbetet delikate. Autoritetet urdhëruan zbritjen e 17 personave, disa prej tyre të dyshuar se janë infektuar me turbekuloz.

Dështimi në arritjen e një marrëveshje me BE-në për menaxhimin e emigrantëve të bllokuar në anijen e ankoruar në portin e Katanias ka futur në krizë Italinë.  Kryeministri Giuseppe Conte ka mbetur i paralizuar mes qëndrimit kategorik të dy zëvendësve të tij kundër zbarkimit të refugjatëve dhe përgjigjes së prerë të Brukselit, që refuzon ndarjen në kuota.

Conte shpresonte në gatishmërinë e vendeve anëtare, një shpresë kjo që rezultoi e kotë pasi përgjigjia e BE-së nuk linte vend për interpretime. Ministri i Brendshëm Mateo Salvini propozoi identifikimin e emigrantëve në bordin e anijes dhe shqyrtimin po atje të atyre që mund të kenë të drejtë për azil.

Tv Klan