Liza Vorfi, banore në Markatomaj, në Zejmen të Lezhës, tregon se tokat i ka 180 metra nga banesa dhe për këtë arsye mori leje në Bashki për të bërë një urë me forcat e veta dhe kostot e familjes së saj.

Por pasi kishte marrë lejen 1 mujore, nga data 1 Mars deri më 1 Prill 2017 dhe kishte shpenzuar 1 milion e 200 mijë lekë, i erdhi pezullimi i lejes, pasi fqinji kundërshtonte ndërtimin e urës.

Kryetari i Bashkisë, Fran Frrokaj thotë se kishte dhënë lejen pa verifikuar terrenin dhe nuk kishte ndërmend t’i hynte aq thellë. Por Liza dhe Prend Vorfi deklarojnë se nuk e falin Kryebashkiakun, pasi u detyruan të shpenzonin para që shkuan dëm.

“Ka bërë djali një shtëpi mes 2 dylymëve të vetë, prandaj kërkova lejen që të bëj një urë për të kaluar e për të kryer nevojat e shtëpisë. Shkurtohet distanca. 

Kjo është ura që i kërkojmë leje Kryetarit të Bashkisë, Fran Frrokaj. Na lëshoi lejen nga data 1 Mars deri në 1 Prill. Keni të drejtë tha të bëni të gjithë punimet për rregullimin e urës. Në datë 3 Mars shkuam e blemë tubat. Të gjithë materialet, 1 milion e 200 mijë lekë. Filluam punën pastaj erdhën na e pezulluan. Iu drejtuam emisionit ‘STOP’ që të na zgjidhë këtë problem, se nuk dimë nga të shkojmë.”

Liza Vorfi tregon se fqinji i tyre kundërshtoi ndërtimin e urës, ndaj ai dhe bashkëshorti i saj shkuan në polici për ta zgjidhur këtë çështje. Por më datë 7 Mars, Kryetari i Bashkisë, Fran Frrokaj pezulloi në mënyrë të menjëhershme punimet dhe kërkoi kthimin e tokës në gjendje fillestare, pasi sipas tij, ura dëmtonte kanalin vaditës dhe kullues.

Gazetarja iu drejtua Bashkisë së Lezhës për të komunikuar me kryetarin Frrokaj për pezullimin e lejes së urës.

“Ka qenë një problem administrativ. Zotëria në fjalë juridikisht nuk ka është se ka ndonjë të drejtë. Pikërisht për këtë arsye, pas lindjes së konfliktit, çështja u rishikua dhe u vendos që të anulohet, me idenë që të bëhët një rishikim i situatës”.

Gazetarja – Nuk e verifikuat situatën që e pajiset me një leje qytetarin?

“Problemi u trajtua me mirëbesim, sepse përpara se të jemi kryetar dhe banor, jemi njerëz të dy palët. Por pas verifikimit dhe pas ankimit të palës tjetër më rezultoi që situata nuk është aq e thjeshtë. Nuk dua, që për shkak të një problemi të tillë, të krijoj mbase probleme sociale.

Gazetarja – Pse të krijohet konflikti, kur prona aty është shtet? Pse duhet të ketë pretendues?

“Prona aty është shtet, edhe zyra këtu është shtet, por është zyra ime dhe nëse do të vijë Kryetari i Shkodrës ose i Tiranës për të hyrë këtu, duhet të trokasë në derë. Dakord është zyra e kryetarit, por është zyra e Kryetarit të Lezhës”.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj shprehet se situata është e përkohshme, pasi është periudhë zgjedhjesh dhe se do të zgjidhet kur këto të fundit të përfundojnë. Por përgjigjia e vërtetë erdhi kur “u fikën” kamerat. 

Gazetarja – Nuk është private (rruga) …

Kryetari –

Jo, nuk është private.

Gazetarja – Atëherë pse duhet të pyesim qytetarin kur ka një kryetar bashkie?

Kryetari

Ja, ja ta them unë. Unë jam Kryetari i Bashkisë!

Gazetarja – Shumë bukur! Dhe ti që je kryetari, ti e vendos të kalojë apo të mos kalojë … meqenëse ti ke një letër tënden. Në thonjëza je pak fajtor, ta themi kështu …

Kryetari

Jo, s’jam fare unë!

Gazetarja – Kjo është përgjegjësi e jotja!

Kryetari

Jo, nuk është përgjegjësia ime!

Gazetarja – I ke dhënë leje!

Kryetari

Ia kam dhënë dhe ia kam anuluar!

Gazetarja – Mirë kryetar, nuk e verifikuat më përpara ju, pastaj t’i jepnit leje?

Kryetari

As më kërciti fare t’i hyja aq thellë sepse nuk e kisha kokërr problemi!

Prend dhe Liza Vorfi, kur dëgjuan nga gazetarja përgjigjen e Kryetarit të Bashkisë Lezhë, u shprehën se nuk e falin atë, pasi kanë harxhuar një shumë të konsiderueshme parash për ndërtimin e urës, sepse u pajisën me leje dhe tani nuk mund t’ua pezullojnë.

“Unë njoh këtë leje! Pezullimin nuk e njoh, se një ditë është çuar me qejf ai dhe një ditë është çuar pa qejf, që ma ka pezulluar. Unë kam harxhuar 1 milion e 200 mijë lekë mall! Si ka mundësi që Kryetari i Bashkisë, që është më i madhi i vendit, të bëjë gabim. Unë jam në rregull se është në pronën e shtetit, jo në pronë private.

/ tvklan.al