Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka vizituar në spital shqiptarët e Kosovës që mbetën të plagosur në aksidentin tragjik mëngjesin e sotëm në Brodi.

Kreu i qeverisë kroate siguroi se do të kujdesen për të gjithë të plagosurit me çdo gjë që të jetë e nevojshme.

Do t’i ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme, duke filluar nga kostot, qëndrimi në spital dhe organizimi për vazhdimin e rrugës drejt Kosovës. Të plagosurit do të qëndrojnë në spital përsa kohë të jetë e nevojshme. Bëhet fjalë për familje. Disa janë të plagosur, disa jo. Ne do t’i ndihmojmë të ndihen mirë këtu dhe të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme”, u shpreh Kryeministri i Kroacisë pasi vizitoi të plagosurit në spital.

Plenkovic tha ndër të tjera se është hera e parë në shumë vite që në Kroaci ndodh një aksident i përmasave të tilla. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, por nga ana tjetër falenderoi të gjitha shërbimet e emergjencës dhe këdo që ndihmuan në këtë situatë. Kryeministri kroat shoqërohej nga disa ministra të qeverisë së tij gjatë vizitës në spital.

Mëngjesin e sotëm, një autobus i nisur nga Gjermania me destinacion Kosovën humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur në një autostradë pranë qytetit Brodi në Kroaci. 10 pasagjerë humbën jetën në mesin e 69 udhëtarëve që ndodheshin në autobus, përfshirë dhe dy shoferët.

Të gjithë janë shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe po ktheheshin në vendlindje për pushime. Drejtuesi i autobusit është arrestuar dhe ka pranuar se e zuri gjumi dhe për këtë arsye humbi kontrollin mbi mjetin. /tvklan.al