Kthimi i luftëtarëve të huaj kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Kthimi i luftëtarëve të huaj kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor

08:30 19/08/2019

Njoftimet se organizata terroriste “Shteti Islamik” është në ditët e saj të fundit, nuk do të thotë fund i ideologjisë që ata përhapën për vite të tëra në luftrat e Sirisë dhe Irakut. Ballkani Perëndimor është rajoni më i prekur në Evropë nga kjo dukuri, thuhet në hulumtimin e fundit të ekspertit të sigurisë Adrian Shtuni. Sipas tij, shkalla e rrezikut vetëm sa është rritur me kthimin e xhihadistëve, grave dhe fëmijëve nga vatrat e konfliktit. Situata më alarmuese është në Kosovë, e cila prinë nga numri it ë rikthyerve. Riintegrimi i të radikalizuarve në shoqëri ësht një sfidë të cilën Kosova nuk mund ta përballojë, thotë analisti Shtuni. Për më shumë, ndjekim raportin e përgatitur nga kolegu Burim Goxhuli. 

Kthimi i luftëtarëve të huaj të organizatave terroriste si “Shteti Islamik” dhe Al Kaida, prekë sigurinë në Ballkanin perëndimor, thotë analisti i politikave të jashtme dhe sigurisë në Uashington, Adrian Shtuni.

“Më përpara ata largoheshin nga vendi që në një mënyrë e ulte rrezikshmërinë në vend, në momentin që personat nuk po shkojnë më, ata, pra të radikalizuarit po kthehen, kjo është e logjikshme që niveli i rrezikshmërisë është i lartë.”

Në hulumtimin e fundit të ekspertit të sigurisë mbi Ballanin Perëndimor të publikuar nga Qendra për Luftimin e Terrorizmit e Akademisë Ushtarake West Point, thuhet se në mënyrë graduale në këtë pjesë të Evropës janë kthyer rreth 460 persona. Mbi 1 mije llogaritet numri i luftëtarëve të huaj, grave dhe fëmijëve që nga kjo pjesë e Evropës kanë kaluar kohë në Siri e Irak. 260 kanë humubur jetën në beteja ndërsa 500 vazhdojnë të jenë në zonen e konfliktit. Sa u përket statistikave, numrat më shqetësues në rajon i ka Kosova.

“Kosova ka diku 250 të kthyer. I gjithë komuniteti evropian ka 1 mijë e 500. Besoj numrat flasin vet”, thotë njohësi i kësaj çështje Adrian Shtuni.

Sipas zotit Shtuni, Kosovës i mungojnë financat dhe ekspertiza për të luftuar këtë dukuri. Prandaj, ai thotë se ndihma nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme.

“Nuk duhet që problemi në Ballkan të shikohet i izoluar dhe Bashkimi Evropian ta konsideroj çfarëdo lloj asistence ndaj Ballkanit si ndihmë për Ballkanin, por si ndihmë për të rritur nivelin e sigurisë në Evropë”, vazhdon analisti Shtuni.

Zoti Shtuni thotë se në fokus nuk duhet të jenë vetëm luftëtarët e huaj. Në mesin e të kthyerve janë edhe grate, të cilat poashtu duhet të vërtetohet nëse janë indoktrinuar gjatë qëndrimit në luftë. Problem edhe më i madh janë fëmijët.

“Nuk mundesh një femiu t’ia pastrosh kujtesën vetëm se ne kërkojmë t’i rehabilitojmë. Kjo është punë që do kohë dhe nëse këta fëmijë do të dërgohen direkt le të themi në shkollë në qoftëse nuk kanë marrë një periudhë kohore ndihmëse psikologjike nga persona të trajnuar për të punuar me këta femijë, kjo mund të sjellë probleme qoftë në klasë, në shkollë, qoftë në komunitete, qoftë në familjen ku po kthehen sepse mos të harrojmë një pjesë e këtyre familjeve nuk janë mikëpritëse ndaj atyre që janë kthyer.”

Prania e fëmijëve në zonë lufte, sipas zotit Shtuni nënkupton që radikalizimi nuk çështje parash.

“Nuk përjashtohet mundësia që ka pas joshje financiare, por këta nuk jane mercenarë. Jemi duke folur për njerëz që besojnë në një ideologji dhe që janë të gatshëm të japin jetën e tyre dhe të sakrifikojnë dhe jeten e tyre për ideologjinë. Nuk kam pa hajdutë që shkojnë të vjedhin bashkë me femijët”, thotë zoti Shtuni.

Luftimi i ideologjisë ësht mision shumë i vështirë, thotë ai.

“Këto janë ideologji të cilat u kanë mbijetuar shumë bombave, shumë luftërave, shumë burgosjeve dhe kampeve. Kjo duhet të na bëj të kuptojmë që nuk është grup, nuk është një vizorë që do të iki por është një gangrenë e cila tashmë e ka kërcënuar shoqërinë e Ballkanit”, thotë zoti Shtuni.

Autoritetet e sigurisë, sipas zotit Shtuni, duhet të trajtojnë edhe komunitetin që pret të rikthyerit. Kujdes i veçantë sipas tij duhet t’u kushtohet atyre që nuk kanë qenë në vatër të luftës, por që në mënyrë aktive mbështesin veprimtarinë e organizatave terroriste./VOA

Të ngjashme
UKT