Policia e Fierit ka finalizuar një aksion anti-drogë duke goditur një rast të kultivimit të trafikimit të lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë 4 persona, mes të cilëve edhe organizatori.

Të arrestuarit janë Renato (Dritan) Bego 57 vjeç, në rolin e organizatorit të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe S.K. 38 vjeç, E.K. 33 vjeç dhe E.K. 31 vjeçe. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe një grua tjetër.

Policia kishte marrë informacion se banesën e 57-vjeçarit Renato Bego në fshatin Hamil, kishte lëndë narkotike. Gjatë aksionit u sekuestruan 100 kg kanabis në proces tharje, 1 automatik dhe 2 krehëra dhe 310 fishekë.

Banesa ishte e pajisur me infrastrukturën e duhur për procesin e tharjes së bimëve narkotike. Në këtë aspekt u sekuestruan edhe 2 freskuese, 1 pres metalike, 7 gërshërë, 1 motorçikletë me targa false dhe e trafikuar nga jashtë vendit, 4 celularë si dhe disa bimë kanabisi të kultivuara përreth shtëpisë së 57-vjeçarit.

Të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, kultivim i bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe trafikim i mjeteve motorike. /tvklan.al