Skënderbeu dhe Vllaznia diskutojnë trofeun

Sezoni futbollistik 2020- 2021 mbyllet mbrëmjen e sotme me shpalljen e fituesit të Kupës së Shqipërisë. Dy skuadra diskutojnë trofeun, Vllaznia dhe Skënderbeu.

Të dyja kanë bërë sezon fantastik; shkodranët pa emra dhe me lojtarë të një niveli mesatarë garuan fortë dhe ishin fare pranë titullit kampion duke thyer një nga një rivalët.

Shkodranët e merituan daljen në Europë dhe ndoshta meritojnë edhe Kupën e Shqipërisë. Por kjo do të vendoset në 90 minutëshin përballë Skënderbeut që gjithashtu ka bërë sezon shumë të mirë.

Pak kush e mendonte që një skuadër me futbollistë të rinj, e goditur nga ndëshkimet e UEFA-s dhe përballë rivalitetit agresiv, do të arrinte të mbijetonte në elitën e futbollit shqiptar.

Një finale deri diku paradoksale. Vllaznia e ka fituar kampionatin e saj. Me mundësitë që kishte jo vetëm rivalizoi, por siguroi edhe pjesëmarrjen në Europa League.

E pranuar gjerësisht, ajo është kampionia morale e këtij edicioni. Kupa do të ishte qershia mbi tortë. Do të kthente këtë trofe në Shkodër pas atij të fituar në 2008. Shkodra dhe shkodranët e meritojnë plotësisht nëse Vllaznia do të fitonte.

Nga ana tjetër paradoksale është nëse do ta fitonte Skënderbeu. Klubi korçar vuan dënimin e UEFA-s dhe nuk mund të marrë pjesë në garat e Europës, si fituese e kupës. Laçi është skuadër me fat pasi do të shkojë automatikisht në Kështu që është çështje prestigji për të dy skuadrat për të fituar kupën e Shqipërisë.

Një lajm i mirë më në fund është që në finalen e kupës do të ketë prani tifozësh. Nuk do të jetë 30% e kapacitetit ashtu sikurse premtuan autoritetet shëndetësore, por do të jenë 100 spektatorë.

Tv Klan