Organizata joqeveritare “Handikos” dhe “The Balkan Forum” kanë hapur kampanjën “Thuaj Jo Qeseve të Plastikës”, këtë të enjte, në sheshet “Skënderbeu” dhe “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Ky aktivitet ka marrë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili i ka falënderuar të gjithë ata që punuan për jetësimin e këtij projekti. Kurti para mediave theksoi se Kosova ka nevojë për një dysheme të fortë sociale dhe për një kulm solid ambiental, njofton Klan Kosova.

“Pra, edhe duhet të kujdesemi për ata që janë më të varfër, më të dobët, të sëmurë apo me nevoja të veçanta, por njëkohësisht duhet ta kuptojmë që burimet natyrore janë të fundme dhe ato janë edhe mjedis jetësor dhe jo vetëm lëndë e parë për teknologjinë”.

“Kjo iniciativë është shumë e mirë, kemi nevojë për përgjegjësi institucionale dhe për vetëdijesim shoqëror. Ajo çka duhet të bëjmë është ta krijojmë një grup punues në të cilin marrin pjesë ministri të caktuara me komision parlamentar, por gjithashtu edhe shoqëria civile edhe bizneset. Kjo, në mënyrë që ta bëjmë një paketë legjislative për mbrojtjen e ambientit, duke i parë edhe shembujt nga vendet e përparuara. Duhet ta synojmë zvogëlimin e plastikës e në veçanti të qeseve”, ka thënë Kurti.

“Handikos” dhe The Balkan Forum kanë prezantuar strajcat e ripërdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara./klankosova