Bankat presin një ecuri të ulet dhe në muajt e parë të këtij viti

Kushtet e kreditimit të bizneseve raportohen të shtrënguara në fund të vitit që lamë pas, ndërsa pritshmëritë edhe për tremujorin e parë 2021 nga ana e bankave të nivelit të dytë mbeten pesimiste. Në vrojtimin e aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, bankat janë shprehur se ecuria e huadhënies pritet të mbetet në nivele të ulëta, e po ashtu edhe kërkesa nga ana e bizneseve.

“Shtrëngimi i kushteve jo çmim u arrit nëpërmjet reduktimit të madhësisë së kredisë, shtimit të kërkesës për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredive.”

Bankat presin të mbajnë të njëjtat kushte kreditimi për bizneset e mëdha dhe kreditë për investime, ndërsa shprehen se do të shtrëngojnë më tej standardet e huasë për biznesin e vogël e të mesëm.

“Për bizneset e vogla e të mesme, bankat presin që t’i shtrëngojnë disi standardet, ndërkohë që për kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditete t’i lehtësojnë disi.”

Edhe normat e interesit për huanë e sektorit privat u rritën me 0.17 pikë përqindje në fund të nëntorit. Kredia për individët është lehtësuar në fund të vitit 2020, ndërsa është rritur financimi për blerjet e banesave dhe kredinë konsumatore, segment që është shoqëruar dhe me rënie të interesave.

Tv Klan