Me tone shumë më të ulëta dhe shumë i shkurtër në kohëzgjatje se javët e shkuara, por debati nuk mungoi edhe këtë javë në Kuvend.

Nisi me një akuzë nga ana e opozitës se sipas tyre është shkelur rregullorja duke mos përfshirë kërkesën për mocion për problematikat që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.

Na jepni shpjegime pse nuk e keni sjellë mocionin në seancë”, tha Bardhi.

Dhe vijoi si debat mes Elisa Spiropalit dhe Gazment Bardhit se kush sulmon më shumë SPAK-un dhe për interesat e kujt.

“Keni ju një opinion për dy baballarët. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK-ut dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon kreun e SPAK-ut, meqë keni opinione për gjithçka dhe për gjithkënd”, pyeti Spiropali.

“Padyshim që babai jot Elisa, Edi Rama, kur goditet opozita nga SPAK-u del dhe bërtet fitore. Ndërsa kur i cënohen oligarkët del dhe me gishtin lart i drejtohet SPAK-ut që kush jeni ju”, tha Bardhi.

Shumica dhe opozita debatuan dhe për ligjin për prefektin që për ministrin e Brendshëm synon të rrisë kompetencat e këtij institucioni, por që për opozitën janë amendime sipërfaqësore.

“Prefekti duhet të jetë më aktiv me kompetenca më të cilësuara”, tha Balla.

“Sot ky parlament duhet të fliste për një reformë të plotë për të rikuperuar edhe gabimet që kishte reforma e vitit 2014”, tha Jorida Tabaku.

Demokratet pretendojnë se ligji për prefektin synon të centralizojë pushtetin duke kontrolluar kryetarët e bashkive. Por qeveria këmbëngul se arsyeja e amendimeve lidhet me një koordinim më të mirë të shërbimeve dhe detyrimeve të pushtetit lokal.

Tv Klan