Meghan Markle dhe Princ Harry hoqën dorë nga rolet e tyre në familjen mbretërore

Dy anëtarët e familjes mbretërore britanike, Meghan Markle dhe Princi Harry, mbrëmjen e së mërkurës bënë të ditur vendimin për të hequr dorë nga rolet e tyre në familjen mbretërore. Ata deklaruan se do të punojnë për të qenë të pavarur financiarisht prej tyre dhe do të formojnë, siç ata e kanë quajtur, një rol të ri dhe progresiv në institucionin e tyre.

Për të diskutuar për të rejat e kësaj teme, që ka shkatuar shumë zhurmë në pallatin mbretëror, të ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishin gazetarja Iva Tiço, ekspertja e Bon Ton, Olesia Leço dhe drejtuesja e “Grace Models”, Greis Petroviç.

Që nga njohja e tyre e deri në finalizmin e marrëdhënies së tyre, Meghan dhe Harry janë sulmuar në mënyra të ndryshme. Së fundmi, ata u shkëputën për disa javë nga detyrat mbretërore, me justifikimin se do i përkushtoheshin djalit të tyre Archie. Por pasi kjo periudhë pushimi përfundoi, ata i surprizuan të gjithë me deklaratën e tyre.

Në lidhje me këtë Greis Petroviç u shpreh: “Ishte një lajm që bëri goxha bujë, por mund të themi që pritej të plaste diçka, se edhe në prag të Krishtlindjeve, Meghan nuk ishte e pranishme, nuk ishte në kartolinën e tyre. Deri diku Mbretëresha shprehu në deklaratën e saj një lloj pakënaqësie, duke u thënë se nipi i vogël duhet të ishte këtu midis nesh, duhet të kishte kujtimin si gjithë nipërit e tjerë, kujtimin e fundvitit”.

Mbretëresha është ende e tronditur nga vendimi, i cili i erdhi surprizë dhe burimet nga pallati shprehen se madhëria e saj nuk pranon të komunikojë me Harry-n, por është detyruar të realizojë disa telefonata me të për të diskutuar. Nga ana tjetër, sipas burimeve për mediat ndërkombëtare, babai i princit ka kërcënuar se do ndërpresë fondin që i akordohet çdo vit djalit të tij.

Ndërsa Olesia Leço mendon se shumë britanikë nuk e kanë pritur mirë vendimin e tyre dhe i janë kthyer kundër, sepse ata po kërkojnë privatësi, duke shmangur dhe detyrat shtetërore.

Shumë britanikë i janë kthyer kundër me shumë të drejtë, sepse ti kërkon tani në një moment të caktuar të kesh privatësi, që më shumë është vëmendje, mendoj unë, mediatike. Të mos bësh detyrat shtetërore, sepse kjo është e gjithë ideja, të mos shkojmë dhe të bëjmë detyrat shtetërore, por të jemi më të lirë larg syve të medias. Po ndërkohë të përfitojmë paratë e taksapaguesve britanikë”.

Ndërsa Iva Tiço mendon se postimi i tyre në Instagram ishte i nxituar.

Unë mendoj që dy njerëz të rritur, që janë në këtë lloj pozicioni duhet të presin të paktën të marrin miratimin, pastaj ta bëjnë publike. Ai posti në Instagram pret”./tvklan.al