Në përpjekje për të kuptuar nëse lënda e ngarkuar në dy anije dhe që u transportua disa javë më parë nga Shqipëria drejt Tajlandës është toksike dhe e dëmshme, Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar analiza mbi disa kampione të marrë në dy kompani në Shqipëri.

Në mungesë të lëndës fizike të ngarkuar në 102 konteinerët që pritet të mbërrijnë në Shqipëri në fund të muajit Shtator, pasi qëndruan për disa ditë në Singapor, hetuesit kanë marrë mostra pranë shoqërisë Kurum dhe Sokolaj shpk.

Lënda, sipas hetuesve, është e njëjta me atë që është ngarkuar në dy anijet. Mostrat do të dërgohen për analiza jashtë vendit, por prokuroria nuk e ka përcaktuar ende laboratorin që do t’i kryejë ato.

Gjithashtu në kuadër të hetimeve të nisura për dyshimet e kontrabandës me mallra të ndaluara dhe “shpërdorimit të detyrës”, grupi i hetimit do të nisë gjatë javës të marrë në pyetje persona të cilët kanë dalë nga dokumentacioni i analizuar të kenë pasur lidhje me ngarkesat.

Më herët, Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera.

Organizatat mjedisore që ngritën shqetësimin se mbetjet e dala nga Durrësi ishin toksike, i kanë kërkuar kompanisë daneze Marsk që po bën transportin e tyre, që të kryejnë analiza në dy laboratore ndërkombetare për të kuptuar se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë, përpara se t’i kthejnë në Shqipëri.

Ndërsa Ministria e Mjedisit dhe ajo e Transporteve deklaruan se nuk do t’i pranojnë apriori rikthimin e mbetjeve vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Tv Klan