Serbia është e para në rajon por edhe në Evropë për sa i takon vaksinimit dhe një nga vendet e pakëta në botë që i mundëson qytetarëve të saj të zgjedhin mes katër vaksinave se cilën do të preferojnë të injektojnë. Qeveria serbe ka siguruar vaksina nga Pfizer, AstraZeneca, SputnikV dhe Sinopharm.

Një kontigjent i parë me 150 mijë doza të vaksinës anti-covid të kompanisë AstraZeneca, mbërriti mëngjesin e të dielës në Serbi.

Avioni me vaksina u ul në aeroportin e Beogradit dhe u prit atje nga vetë presidenti, Aleksandër Vuçiç.

Ky i fundit bëri të ditur se vaksinat ishin siguruar përmes bisedimeve mes Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë.

“Faleminderit për mbështetjen e Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne”, ka thënë Vuçic.

Presidenti Vuçic ka njoftuar se Serbia pritet të sigurojë edhe vaksina të tjera kundër koronavirusit, përmes mekanizimit ndërkombëtar COVAX, në fund të marsit ose fillim të prillit.

“Por para se të vijnë vaksinat nga programi COVAX, ne sigurisht që do të vaksinojmë dhe rivaksinojmë 1.1 ose 1.2 milion njerëz. Kjo përbën 20 për qind të popullsisë së rritur “, ka thënë ai.

Pas dërgesës të së dielës, Serbia konsiderohet një nga vendet e pakta në botë, ku qytetarët e saj do të jenë në gjendje të zgjedhin midis katër vaksinave të ndryshme kundër koronavirusit.

Ajo deri më tani ka siguruar vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, atë ruse, Sputnik V, kineze Sinopharm dhe tani vaksinën e kompanisë AstraZeneca.

Kjo e fundit është miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të janarit.

Klan News