Aventura në elitën e futbollit holandez ka marrë një goditje të fortë për Vitesse. Pas 35 vitesh në nivelin më të lartë të futbollit, klubi bie nga kategoria pasi është dënuar me zbritjen e 18 pikëve. Gjithçka ka lidhje me mungesën e informacionit të kërkuar nga Federata Holandeze e futbollit rreth veprimatarisë së klubit, duke dështuar në përmbushjen e kërkesave.

Federata akuzoi klubin për ofrimin e informacionit të pasaktë dhe fshehjen e saj gjatë hetimeve për të përcaktuar nëse klubi ka shkelur sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë.

Klubi me bazë në Arnhem është përfolur në të kaluarën për lidhje të thella me rusin Roman Abramovich. Skuadrës nuk i është hequr ende licenca, një fakt që e lejon për të marrë pjesë në ligat e futbollit profesionistë në Holandë. Megjithatë, klubi mund të përballet me dënime shtesë, pasi mbetet nën hetim për shkelje të tjera të mundshme.

Me 4 ndeshje deri në fund të sezonit, Vitesse ka tashmë minus 1 pikë, çka nuk e lejon për të pretenduar mbijetesën. Në vitin 2017, skuadra fitoi për herë të parë Kupën e Holandës. Tani ata do të kthehen në kategorinë e dytë holandeze për herë të parë që nga viti 1989.

Klan News