fierzaSkandali i publikuar në Tv Klan me ndotjen masive të liqenit të Fierzës, ka vënë në lëvizje autoritetet.  Bashki e Komuna janë thirrur të hënën nga Këshilli i Qarkut për të pastruar liqenin e Fierzës, që është mbushur me tolenata mbetje urbane, industriale, spitalore e plastike.

Por krahas këtij aksioni, një grup i Ministrisë së Mjedisit do të verifikojë përgjegjësinë e çdo drejtuesi të pushtetit vendor në krijimin e kësaj situate.

Për rastet që do të vërtetohet se ata nuk kanë respektuar ligjin për kontrollin e territorit dhe të menaxhimit të mbetjeve, burime zyrtare nga Ministria e Mjedisit thonë se do të ketë gjoba deri në 10 milionë lekë. E nëse pas gjobave situata nuk do të ndryshojë, të njëjtat burime thonë se Ministria do të propozojë shkarkimin nga detyra të pushtetarëve vendorë që nuk do të zbatojnë detyrimet ligjore.

Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit ka fajësuar pushtetin qendror, pasi sipas tij, ka vonuar miratimin e një projekti për pastrimin e liqenit të Fierzës. Por Ministria e Mjedisit thotë se situata është paksa komplekse, pasi bëhet fjalë edhe për mbetje që vijnë përmes Drinit kryesisht nga Kosova.

Pas verifikimeve të grupit të kontrollit, drejtuesit e këtij dikasteri nuk përjashtojnë mundësinë që të diskutohet edhe me autoritetet e Kosovës për të parandaluar derdhjen e mbetjeve në Drin.

Kjo situatë, vijon prej vitesh dhe është përkeqësuar çdo vit e më shumë. Në një dekadë thuajse nuk është ndërhyrë nga autoritetet, përjashtuar këtu një aksion të një viti më parë të iniciuar nga Këshilli i Qarkut me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave. Autoritetet vendore ende nuk kanë reaguar dhe as nuk dihet nëse do të marrin pjesë në aksionin e thirrur nga Kryetari i Këshillit të Qarkut.

Tv Klan