Pas 17 muajsh burgim, lirohen në Mianmar dy gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters. Ua Lone, 33 vjeç dhe Kia Soe O, 29 vjeç, u dënuan me 7 vjet burg Shtatorin e kaluar, për nxjerrje të sekretit shtetëror gjatë raportimeve rreth masakrës ndaj komunitetit mysliman Rohingya.

Ata u liruan pas një amnistie presidenciale. Të pritur nga qindra qytetarë gjatë momentit të daljes, Ua Lone dhe Kia Soe O u zotuan se do të vazhdojnë raportimin për të hedhur dritë mbi ngjarjet e ndodhura në Mianmar.

Arrestimi dhe dënimi i dy gazetarëve tyre u cilësua një sulm ndaj lirisë së shtypit dhe ngriti një sërë pikëpyetjesh rreth demokracisë në Mianmar. Ata ishin pjesë e grupit të gazetarëve që u shpallën njeriu i vitit nga revista prestigjioze TIME, përkrah gazetarëve të vrarë në SHBA dhe Xhamal Kashoxhit i ekzekutuar vitin e kaluar brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Tv Klan