Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ishte e ftuar një kampione sporti, e cila nuk e ka pasur aspak të lehtë të rrëmbejë tituj të rëndësishëm në nivel botëror.

Me thjeshtësinë e një vajze modeste, Luiza Gega i detyrohet vetëm pasionit dhe punës së saj për të arritur të jetë një emër që numëron disa rekorde në fushën e sportit.

Ajo i është mirënjohëse prindërve të saj që e kanë mbështetur atë që në fillimet e saj në atletikë, kur ishte vetëm 14 vjeç.

Luiza Gega: Unë jam shumë mirënjohëse, që në momentin e parë që shpreha dëshirën kam qenë 14 vjeç, kur kam filluar ta ushtroj, jo si sport profesionist, por që shpreha dëshirën, kam dëshirë të merrem nuk më ndaluan. Edhe për këtë i falenderoj, që nuk u bënë pengesë në ato hapat e parë, edhe tashmë më është kthyer në pasion dhe profesion sigurisht.

Mirela Milori: 14 vjeç? Po cila ishte shkëndija e parë, apo elementi i parë që të bëri të kuptosh ti apo profesorët e tu, se ti ke të dhëna për atletikë?

Luiza Gega: Gjithçka ka nisur, bënim garime nëpërmjet shkollave dhe gjithmonë dilja e para dhe sigurisht mendoj që e kam dhe pak talent. Por sigurisht është puna ajo që të bën të ecësh përpara. Kisha një mik të familjes që në atë kohë ishte tek mjeshtëria sportive e Durrësit, trajner atletike. Më tha nëse ke dëshirë? Sigurisht i thashë duhet të flasësh me prindërit se dëshira ime ishte në fakt. Gjithmonë kam patur dëshirë të shkëputesha nga ajo pjesa e mësimeve ose… Natyra ime domethënë ka qenë gjithmonë të merresha me diçka. Prindërit nuk më ndaluan, por sigurisht me ato dëshirat nuk duhet të lësh prapa mësimet. Pastaj shkëndija e parë ishte kur mbas 4 muajsh bëra garën time të parë, si atlete, ka qenë tek kodrat e liqenit, gara 3 mijë metra, krosi kombëtar, ku unë dola e para dhe ishte një emocion i madh për një fëmijë si isha unë. Pastaj aty kuptova që unë po të punoja do arrija më lart. Doja në njëfarë forme t’i bëja dhe prindërit krenarë. /tvklan.al