Përpara 4500 delegatëve të thirrur në Kuvendin e Partisë Demokratike për të votuar 170 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, Lulzim Basha foli për një elitë të re politike që i duhet vendit, përmes së cilës tha se mund të vijë edhe ndryshimi i shqiptarëve. Ndaj dhe sfida e radhës për të është hapja dhe afrimi i të rinjve në Partinë Demokratike.

“Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ne duhet të krijojmë kushtet. Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri”.

Jashtë ftesës nuk la as të vjetrit, ata që më së shumti e kanë kritikuar për mënyrën sesi po drejton Partinë Demokratike dhe disfatat e njëpasnjëshme në zgjedhje. Duke mos ua mohuar kontributin e dhënë, u kujtoi se në partinë që ai drejton nuk ka pushtet të përjetshëm.

“Kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet. Kontribut do të thotë të punosh dhe mbeshtetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë. Ata mund të ndihmojnë PD duke u kthyer në misionarë, në ambasadorë të PD-së, duke propaganduar idetë dhe vlerat e PD-së. Ata mund të ndihmojnë PD-në duke u kthyer në mentorë për demokratët e rinj.

Pa asnjë dyshim, PD ka vend edhe për të gjithë ata që e kritikojnë atë nisur nga parimet dhe vullneti dashamirës për forcimin e saj. Pa asnjë dyshim, PD ka nevojë për kritika, ka nevojë për mendimin ndryshe, ka nevojë për debat. Pa mendim ndryshe, nuk mund të ketë parti demokratike.Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD, dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë: ejani bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju”.

Por teksa Basha foli per hapje të partise, 9 kandidatë, Edit Harxhi, Erla Mehilli, Edvin Kulluri, Arben Skënderi, Fabian Topollai, Valbona Mezini, Mimoza Hajdarmataj e Gent Minarolli u terhoqën nga gara, për t’u distancuar nga lidershipi aktual i Partisë Demokratike.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, në punimet e kuvendit nuk mori pjesë as themeluesi i Partiëe Demokratike, Arben Imami, i cili e quajti mbledhjen si anti-statutore.

Qeverisja e Edi Ramës dhe akuzat ndaj Kryeministrit zunë jo pak vend në fjalimin e kreu të opozitës, por përpara të vetëve Basha ripërsëriti qëndrimin se në pushtet demokratët nuk do të vijnë me dhunë.

“Pas Enver Hoxhës ai është njeriu më i dëmshëm që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Largimi i tij nga pushteti është i domosdoshëm për të ndalur fundosjen e Shqipërisë. Largimi i tij nga pushteti është hapi i parë drejt ndryshimit të drejtimit të vendit. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh.

Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Por unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top. Edi Rama rrëzohet duke i rezistuar atij përditë, duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij. Duke protestuar për ditë”.

Kundërshtarin e tij politik e akuzoi se ka objektiv të vetin jo vetëm përçarjen e demokratëve por edhe atë të shqiptarëve.

“Vepra më tinzare e Edi Ramës ka qënë përçarja e njerëzve, duke i bindur ata se këtu nuk ka shpresë, se ky vend nuk bëhet, se gjithkush duhet të shohë vetëm interesin e tij, se askush nuk ka ç’i duhet nëse dikush tjetër dhunohet, nëse dikush tjetër abuzohet”.

Fjalimi i gjatë që Basha mbajti përpara kuvendit, për pak sa nuk u mbyll me një incident.

Tv Klan