Lulzim Basha: Opozita do të nisë protestat për rrëzimin e Edi Ramës – TV KLAN

Lulzim Basha: Opozita do të nisë protestat për rrëzimin e Edi Ramës

Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare do të nisin protestat për rrëzimin e qeverisë. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, i cili pas mbledhjes me partitë e opozitës së bashkuar, deklaroi nga selia blu se do të udhëheqin revoltën e qytetarëve kundër Kryeministrit Edi Rama. Këtë të fundit, Basha e akuzoi se po e çon vendin drejt diktaturës.

“Gjatë gjithë kësaj opozitës i është kërkuar të jetë në Parlament. Sot e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa se si në Parlament Edi Rama i hoqi opozitës dhe të drejtën më elementare kushtetuese, të drejtën për të folur. Vendi po rrëshket drejt autoritarizmit dhe diktaturës. Edi Rama ka tani një Parlament privat për të shkatërruar interesat kombëtare. Ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët, ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët. Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është vendi. Prandaj, në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetarët se kur do të nisin protestat, kryedemokrati tha se data do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së ditën e shtunë më 19 Janar.

“Ditën e shtunë, Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestave popullore dhe secila prej partive anëtare të koalicionit të opozitës së bashkuar, përfaqësuesit parlamentar të secilëve dhe përfaqësuesit e tjerë do të mbledhin forumet e tyre, do të vendosin dhe do të komunikojmë shumë shpejt nisjen e protestave popullore sipas vendimit që kemi marrë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i shërbyer objektivit që shpallëm këtu, largimit një orë e më parë të Edi Ramës”, deklaroi Lulzim Basha. /tvklan.al

Kategori
Lajmet KryesorePolitikaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*

 

Emisione