Marrëdhëniet midis Francës dhe Turqisë kanë arritur nivelin më të ulët

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se Turqia do të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Duke folur për televizionin “France 5”, Macron përjashtoi mundësinë e përfshirjes në bisedime me Ankaranë.

“Sigurisht është e shkruar. Këto kërcënime nga Turqia nuk janë të fshehta. Duhet të jemi të kthjellët, kjo është e padurueshme. Ndaj nuk dua të përfshihem në marrëdhënie paqësore nëse do të ketë përpjekje të tilla,” tha Macron.

Më parë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2017 në Gjermani, kur ju bëri thirrje gjermano-turqve të votonin kundër partisë së kancelares Angela Merkel.

Komentet e Macron-it vijnë ndërsa marrëdhëniet dypalëshe midis Parisit dhe Ankarasë kanë arritur nivelin më të ulët muajt e fundit.

Vjeshtën e kaluar presidenti turk Erdogan bëri thirrje për bojkotimin e produkteve franceze pas debateve që pati me kreun francez për tajtimin e myslimanëve dhe sulmeve ndaj islamit.

Gjatë intervistës me “France 5”, Macron denoncoi atë që e konsideroi politikë shpifjesh nga ana e Turqisë.

“Vjeshtën e kaluar pati një fushatë shpifjesh kundër nesh. Shpifje të shpërndara nga mediat e kontrolluara nga qeveria turke”, tha ai.

Mosmarrëveshje të tjera midis Parisit dhe Ankarasë lidhen me konfliktet e armatosura në Libi, Siri dhe Nagorno-Karabakh. Përfshirje e drejtpërdrejtë e Turqisë në këto konflikte ka shtuar edhe tensionet midis dy aleatëve të NATO-s.

Klan News