Makina doli nga rruga dhe ra në një kanal me ujë

Rrugët e vendit u përgjakën sërish në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. Saber Dunga, 45 vjeç nga Durrësi, Urim Pepa, 39 vjeç nga Tirana dhe Nikoll Gjoni banues në fshatin Gjegjan të Pukës janë 3 viktimat e radhës së një aksidenti të rëndë në aksin rrugor Milot-Mamurras.

Automjeti tip “Toyota” me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga, duke çarë barrierat mbrojtëse dhe ka rënë në një kanal me ujë.

Fillimisht policia gjeti trupat e dy viktimave dhe më pas u desh ndërhyrja e polumbarëve për të gjetur edhe trupin e personit të tretë, atë të Nikoll Gjonit.

Viktimat ishin duke u kthyer nga Puka, ku kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore. Ata janë ndalur për të darkuar dhe pak pasi janë nisur janë përfshirë në aksidentin e rëndë. 

Janë ende të paqarta shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, por dyshohet se personi që drejtonte automjetin ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së lartë, por edhe mungesës së ndriçimit.

Bilanci i viktimave nga aksidentet rrugore ka qenë tragjik ditët e fundit, ku më pak se 24 orë më parë u shënuan 3 viktima të tjera.

2 qytetarë humbën jetën në një përplasje të ndodhur në Malësinë e Madhe dhe një i tretë në rrugën Rrugën e Rinasit.

Tv Klan