Makina e ndaluar nga PD për shitblerje votash, Balla: Nuk ka lidhje me PS-në



Makina e ndaluar nga PD për shitblerje votash, Balla: Nuk ka lidhje me PS-në

23:10 21/04/2021

Një makinë që dyshohej se mbante para dhe karta identiteti për të blerë vota. Tre furgonë, që sipas PD-së janë thirrur nga ata për të mbrojtur votën. Në përfundim një i vdekur, 56-vjeçari Pjerin Xhuvani dhe 4 të plagosur mes tyre edhe një efektive policie. Demokratët thonë se ndërhynë për të parandaluar një krim, ku në një makinë dyshohej se kishte para dhe karta identiteti gati për të blerë votat për zgjedhjet e 25 Prillit. Dhe për këtë akuzojnë Partinë Socialiste.

Por nga ana tjetër, nga selia rozë mohojnë gjithçka. Taulant Balla deklaroi gjatë emisionit Opinion këtë të mërkurë se personi që është ndaluar nga furgoni i PD-së nuk ka lidhje me Partinë Socialiste, ndryshe nga çfarë pretendohet nga opozita.  

“Ajo që unë sot ndjej keqardhje është që PD e para nuk dënon ngjarjen, merr në mbrojtje vrasësin, është kryer në prani të policisë është goditur dhe policia. PD le të marrë në mbrojtje vrasësin.

Ai person që është ndaluar, është kontrolluar këta persona nuk ka një lidhje me PS-n”, tha Balla.

Drejtuesi politik i demokratëve Gazment Bardhi, në një deklaratë për shtyp, tha se sipas informacioneve të sigurta, strukturat e Mbrojtjes së Votave kanë shkuar të verifikojnë rastin e një automjeti që drejtohej nga një person dhe që sipas Bardhit shpërndante para në këmbim të votave.

“Sot kur morëm informacione te sigurta, që një  automjet pa targa po lëvizte në lagjen 5 Maj, e  drejtuat nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes e Votës, te shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtes se Votes kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe asnjë precedent penal. Pasi kjo njesi e verifikoi informacionin, ato kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtëpërdrejtë Drejtori i Policisë Vendore Elbasan. Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet proceduriale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Ne keto makina ndodheshin anëtarë te krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verë”, tha Bardhi./tvklan.al







Të ngjashme