Një automjet me targa shqiptare është përfshirë në një aksident mbrëmjen e së dielës në Milano të Italisë.

Sipas mediave italiane, një fuoristradë “Volkswagen Tuareg” u përplas me një motor në një kryqëzim rrugor. Pas aksidentit ku mbeti i plagosur rëndë drejtuesi 34-vjeçar i motorit, shoferja e makinës me targa shqiptare u largua në këmbë nga vendngjarja.

Dëshmitarët thanë se panë drejtuesen së bashku me një burrë që ishte pasagjer në automjet. Por, më vonë drejtuesja e fuoristradës u paraqit në polici së bashku me avokatin e saj.

Bëhet fjalë për një 29-vjeçare shqiptare, e cila pranoi përfshirjen në aksident. Hetuesit italianë janë duke verifikuar nëse 29-vjeçarja ishte personi që drejtonte fuoristradën me targa shqiptare kur ndodhi përplasja.

Dëshmitarë okularë i thanë policisë se kishin parë një grua në drejtimin e mjetit. Ndërsa tani autoritetet po përpiqen të identifikojnë burrin që ishte pasagjer në këtë makinë. /tvklan.al