Një tjetër ish-bashkëpunëtor i Trump-it rezulton të ketë gënjyer drejtësinë amerikane për skandalin e ndërhyrjes ruse në presidencialet amerikane të 2016-s. Paul Manafort, ish-kreu i Shtabit Elektoral të Donald Trump, nuk ka thënë të vërtetën kur pranoi të bashkëpunonte me prokurorin special Robert Mueller, që merret me hetimin e Russiagate.

Gjykatësit e çështjes së Manafortit thanë se ekzistojnë prova konkrete që vërtetojnë se gjatë fushatës presidenciale amerikane, ai ka pasur komunikim me konsulentin politik rus Konstantin Kilimnik, i cili dyshohet për lidhje me shërbimet e zbulimit në Moskë.  Ky është një nga tre rastet, në të cilat Manafort rezulton të mos ketë thënë të vërtetën, sikurse është zotuar.

Paul Manafort është i dyti ish-bashkëpunëtor i afërt i Presidentit amerikan që ka gënjyer drejtësinë, pas rastit të ish-avokatit Kohen, i cili nuk tregoi të vërtetën për projektin e kullës Trump në Moskë. Të dy janë shpallur fajtorë vetëm për evazion fiskal dhe ende jo për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Tv Klan