“Opozita po bën politikë me pandeminë”

Nga Spitali Infektiv në QSUT, ministrja Manastriliu iu përgjigj akuzave të opozitës se sistemi shëndetësor ka kaluar në kolaps. Manastirliu tha se në të dy spitalet Covid janë ende 50 shtretër të lirë për pacientët që kanë nevojë të trajtohen dhe se spitalet e tjera do të hapen sapo këto kapacitete të jenë ezauruar.

“Patjetër që do të hapet spitali tjetër kur të kemi rritje të numrit të të infektuarve. Kur nuk do të ketë më hapësirë për të shtruar ne do të hapim Covid 3. E kemi stafin e gatshëm në çdo moment që do të vlerësohet. Kemi shtuar kapacitete në sistem për të mos prekur sistemin tjetër që të vazhdojë normalisht”, tha ministrja.

Mjekja infeksioniste Najada Çomo pohoi se stafet mjekësore janë gati për valën e dytë, ndërsa të tjerë mjekë dhe infermierë po trajnohen për koronavirusin.

“Kemi shtretër, kemi kapacitete të burime njerëzore, kemi mjekë infeksionistë për të përballuar spitalet e tjera. Shtretërit hapin vetëm atëherë kur të jenë të nevojshme”, tha ajo.

Për Ministren e Shëndetësisë akuzat e opozitës janë vetëm për qëllime politike. Ministrja Manastirliu shtoi se objektivi kryesor është ulja e kurbës së infektimeve sepse kjo krijon mbingarkesë të sistemit shëndetësor. Ajo ripërsëriti apelin ndaj qytetarëve për mbajtjen e maskave dhe distancës.

Tv Klan