Ministrja e Shëndetësisë-opozitës: Të gjitha vaksinat anti-covid të certifikuara

Nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë iu përgjigj akuzave të opozitës për vaksinat anti-covid duke theksuar se të gjitha janë përdorur në disa vende të botës dhe janë certifikuar nga OBSH.

“Me keqardhje për këmbënguljen tuaj për ta përsëritur pa teklif, dua të informoj kolegët dhe qytetarët, se ju jam e sigurt që e dini, çdo vaksinë, pasi ka kaluar fazën e testimeve, në bazë të rezultateve dhe publikimeve, merr aprovimin nga agjencitë e barnave në vendet ku prodhohet dhe s’besoj që këto agjenci, seriozitetin e tyre t’ia vërë në diskutim askush, as edhe ju”.

Deputeti i PD, Tritan Shehu u shpreh se ka mungesë transparence për menaxhimin e situatës së pandemisë.

“Le të kthehemi pak mbrapa në kohë zonja ministre, për të kujtuar thjesht mënyrën kaotike, pa strategji, pa vizion që ju e keni menaxhuar këtë pandemi, të përgjegjësisë së madhe tuaj dhe të qeverisë suaj për humbjet gjigande në jetë”.

Manastirliu ndër të tjera theksoi se ashtu si vendet e Europës, edhe Shqipëria do të vendose “green pass” për t’u futur në lokale apo marrë shërbime të tjera.

“Si hyhet në një lokal, në një bar, në një restorant në Europë? A hyhet me ‘green pass’? Do ta vëmë ‘green pass’-in. Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vëmë ‘green pass’-in, e vendosëm në universitete”.

Synimet e autoriteteve shëndetësore janë që deri në gjysmën e vitit të ardhshëm të imunizohen më shumë se 70% e popullatës.

“Ne do të ndjekim objektivin e OBSH për mbulesë vaksinale 70% të popullatës deri në mesin e 2022, por falë pikërisht kësaj strategjie që ne kemi miratuar që në krye të herës, nuk kemi hequr dhe nuk do të heqim dorë nga objektivi ynë për të vaksinuar popullatën target +16 vjeç deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm”.

Deri në fund të këtij viti pritet të mbërrijnë sërish vaksina të tjera anti-covid në bazë të marrëveshjeve të qeverisë me Pfizer dhe Covax, për të rritur mbulesën vaksinale.

Klan News