Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pas tre orë bisedimesh në kryeqytetin maqedonas Shkup, katër partitë kryesore maqedonase, kanë rënë dakord, për krijimin e qeverisë së re të unitetit kombëtar dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Partia e kryeministrit Gjeorgjevski VMRO-DPMNE, partia e Cervenkovskit, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia e Prosperitetit Demokratik, miratuan krijimin e koalicionit të përbashkët politik, që do të synojë në radhë të parë të stabilizojë gjendjen në Maqedoni dhe ta përgatisë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në qeverinë e re dy partitë shqiptare, do të kenë gjashtë vende. PDSH e Arbër Xhaferrit, do të ketë një zëvendës kryeministër, një Ministër të Ekonomisë dhe një Ministër të Punëve Sociale. Ndërsa Partia e Prosperitetit Demokratik, do të ketë një zëvendës kryeministër, Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Punëve Publike. Rëndësia më e madhe e koalicionit të ri qeveritar është se ai do të gëzojë 2/3 e parlamentit. Në fund të vitit pritet të shpallët data e zgjedhjeve elektorale të parakohshme.

Pas këtij kompromisi kryeministri Gjeorgjevski urdhëroi ndalimin e bombardimeve të fshatrave shqiptare në Maqedoni. Vendimi i PPD pritet ta izolojë politikisht UÇK./tvklan.al