Kabineti i ri do ketë 23 ministra

Ish-kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi ka pranuar detyrën e kryeministrit të qeverisë së re italiane, ndërsa të premten në mbrëmje prezantoi edhe kabinetin e tij qeveritar. Draghi e pranoi detyrën gjatë takimit që pati me presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, ndërsa të shtunën në orën 12:00 ai së bashku me ministrat e tij pritet të bëjë edhe betimin para kreut të shtetit. Kabineti i tij qeveritar përbëhet nga 23 emra, nga të cilët 8 do të jenë gra.

Një pjesë e emrave të prezantuar nga Draghi janë ish-ministra të qeverisë Conte, ku bie në sy emri i Luigi Di Maios që do mbajë sërish postin e Ministrit të Jashtëm, ndërsa pjesë e kabinetit janë bërë edhe ministra nga “5 Yjet” dhe Lega Nord. Posti i Ministrit të Brendshëm i është besuar Luciana Lamorgeses, ndërsa ai i Drejtësisë, Marta Cartabias. Ministër i Mbrojtjes do jetë Lorenzo Guerini, ndërsa Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Daniele Franco.

Draghi ka siguruar mbështetje të gjerë në parlament nga grupimet më të mëdha si Lëvizja 5 Yjet, Lega Nord, Demokratët, etj. Sondazhet tregojnë se qeveria e re e Mario Draghit ka besimin më të lartë popullor të viteve të fundit me 62%. Por duket se humbësit më të mëdhenj janë “5 Yjet”. Nga forca kryesore politike e kësaj legjislature, anketimet e ditëve të para të shkurtit i rendisin ata në vendin e 4-t me 14.8%.

Forca e parë është Lega Nord me mbi 23% mbështetje. Pas tyre janë demokratët dhe ekstremistët e djathtë të “Frateli d’Italia”. Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në këtë periudhë, koalicioni i 2018-ës mes Lega Nordit, Frateli d’Italias dhe Forca Italias do të siguronte 46.9% të votës popullore, të mjaftueshme për të formuar një qeveri të së djathtës kundër emigrantëve.

Tv Klan