Qeveria është duke diskutuar një masë ndëshkimore për të gjitha lokalet që tregtojnë alkool tek të rinjtë që nuk kanë mbushur ende moshën 18-vjeçare. Lajmi është njoftuar nga Kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se ky plan është në fazën e diskutimit për disa pika përfundimtare.

Megjithatë, Rama dha disa detaje se si do të procedohet në rastet kur lokalet kapen duke u tregtuar alkool të rinjve nën 18 vjeç.

Kur lokalet kapen me një shkelje të tillë për herë të parë, do të mbyllet aktiviteti i tyre për 3 muaj ose për 6 muaj. Kjo pikë nuk është ndarë përfundimisht dhe është në fazën e diskutimit.

Por, Kryeministri ishte i prerë për rastet kur lokalet e kanë rast të përsëritur. Në një situatë të tillë, ato do të mbyllen për 1 vit.

“Jemi duke diskutuar edhe një masë tjetër që ka të bëjë me alkoolin. jemi duke punuar që të shkojë një mesazh shumë i qartë për të gjithë lokalet që tregtojnë alkool, që në rast se do të kaopt një lokal që i tregëton alkool një vajze apo një djali apo një grupi të rinjsh nën moshën 18 vjeç, do të merren masa drastike ndaj lokalit, deri në mbyllje për 1 vit kur është e përsëritur. Ndërkohë që po diskutojmë masën në momentin kur ndodh për herë të parë, do të jetë 3 muaj apo do të jetë 6 muaj”,

deklaroi kreu i qeverisë në një takim me banorët në Laprakë.

Rama tha se masa do të merren edhe ndaj atyre lokaleve që do të pranojnë nxënës nën 18 vjeç në oraret kur ata duhet të jenë në mësim. Kjo nismë, sipas tij, synon që të rregullojë fenomenin e braktisjes së orëve të mësimit nga nxënësit. Për këtë temë, Kryeministri sqaroi se do të ketë një takim edhe me pronarë të lokaleve.

“Mbyllje e lokalit imediate për çdo rast kur ju tregtohet alkool vajzave dhe djemve që janë nën moshën 18 vjeç apo kur ndodh diçka e tillë gjatë orëve të mësimit. Pra kur janë në lokal, pavarësisht se pinë alkool apo s’pinë alkool. Lokalet nuk mund të jenë klasa alternative e atyre fëmijëve që prindërit i nisin në shkollë për të mësuar edhe që përfundojnë nëpër lokale gjatë orëve të mësimit.

Do të bëhet një punë e drejtpërdrejt me të gjithë ata pronarët e lokaleve dhe besoj që duke filluar nga 1 Janari do të jemi gati dhe të qartë si do të trajtohet çdo lokal që do të pranojë nxënës shkollash brenda gjatë orës së mësimit, edhe sikur biskota të jetë duke ngrënë, dhe pastaj më e keqja kur do të tregëtohet pije alkoolike për ata që janë në moshën 18 vjeç, dhe kjo vlen për orën e mësimit dhe për 14 orë të tëra. Mbushur lokalet me 15-vjeçarë e 16-vjeçarë që pijnë alkool”

, tha Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al