MASR: Përgjysmimi i tarifave dhe dhënia e bursave do të vazhdojë

MASR: Përgjysmimi i tarifave dhe dhënia e bursave do të vazhdojë

09:36 29/07/2019

Përkundër lajmeve që kanë qarkulluar kohët e fundit mbi përgjysmimin e tarifave dhe dhënien e bursave vitin e ardhshëm akademik, lajme që kanë shkaktuar shqetësim në rrjetet sociale mes studentëve universitarë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ribën me dije të gjithë studentët se nuk ka asnjë vend për panik sepse njëlloj sikurse në gjysmën e parë të këtij viti, si rezultat i “Paktit për Universitetin”, qeveria shqiptare do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm akademik 2019-2020 të kontribuojë në përgjysmimin e tarifave dhe bursave.

Në thelb tarifat ngelin po njëlloj, por falë së njëjtës skemë si radhën e kaluar, qeveria shqiptare do të kontribuojë falë pakos financiare në ndihmë të studentëve e cila sjell drejtpërdrejtë përgjysmimin e tarifave dhe shpërndarjen e bursave.

Një fakt i tillë u theksua qartë edhe javën e kaluar nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini gjatë ceremonisë së prezantimit të 223 të punësuarve falë “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”:

“Kemi ndërtuar një pako financiare për të përgjysmuar tarifat dhe për të stimuluar me bursa studentët më të mirë dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë për ndihmë nga shteti. Kjo do të vijojë të zbatohet edhe për vitin tjetër akademik përkundër disa lajmeve nëpër portale që përhapin panik duke thënë se nuk do vijohet më me përgjysmimin e tarifave dhe shpërndarjen e bursave.

Kjo nuk është e vërtetë pasi politika që ndoqëm vitin e kaluar do të vijojë në të njëjtën mënyrë edhe në vitin e ardhshëm akademik. Do të zbatohet edhe më mirë pasi kemi mësuar shumë gjatë procesit të zbatimit të politikës gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Kemi patur probleme me sekretaritë nëpër universitete – probleme banale që i hasim ndonjëherë dhe që shkaktonin vonesa – por tashmë kemi mësuar se si të arrijmë deri tek studentët në kohën e duhur”, ka sqaruar Znj. Shahini.

MASR kujton se që në fillim të tij, “Pakti për Universitetin” solli një pako financiare prej 2.3 miliard lekësh nga ana e qeverisë shqiptare duke i sjellë përfitim direkt mbi 90% të studentëve, teksa nënvizon gjithashtu se shumë shpejt do të ketë edhe ndryshime në VKM për të përfshirë edhe kategori të tjera që nuk kanë qenë më përpara./tvklan.al

Të ngjashme
UKT