Pas vendimit për të shtyrë votimin e marrëveshjes për Brexit me BE, kryeministrja britanike Tereza May nisi këtë të martë misionin më të vështirë, atë për ndryshimin e kushteve me BE.

Shefja e qeverisë britanike u prit fillimisht nga kryeministri holandez Mark Rute, më pas u takua me kancelaren Angela Merkel, ndërsa më pas do të takojë Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Ky i fundit ishte i prerë me Mayn, duke thënë qartë se një negociate e re për marrëveshjen Bruksel – Londër, është e pamundur.

“Jam i çuditur sepse ne ramë dakord më 25 Nëntor me qeverinë britanike. Marrëveshja e arritur është marrëveshja më e mirë, është e vetmja marrëveshje e mundshme. Nuk ka vend për rinegocim. Gjithkush duhet ta dijë se kjo nuk do të ndodhë, marrëveshja e shkëputjes nuk do të rihapet.”

Kryeministrja vendosi të mos e çojë marrëveshjen me Brukselin në parlament, duke hasur në reagimin e fortë opozitës laburiste dhe të grupeve rebele brenda konservatorëve. Sipas saj, duhet të rishikohen kushtet në kufirin me Irlandën, një prej pikave më të nxehta të paktit mes palëve.

Tv Klan