Burg për njërin prej të arrestuarve

Ky është Leandro Pana, një nga 5 të arrestuarit për pengmarrjen e një 31-vjeçari shqiptar në Greqi. I riu nga Dibra ka mohuar akuzën, duke sqaruar se nuk kishte dijeni se në vendin fqinj ishte marrë dikush peng. Sipas Panës, atij i ishte thënë nga një afërm se në Tiranë do t’i merrte vëllait të pengut 10 mijë euro dhe do t’ia jepte atij. 24-vjeçari ka sqaruar se nuk kishte lidhje me atë çfarë ka ndodhur.

Ndërsa në Greqi janë arrestuar edhe katër shqiptarë të tjerë, mes tyre dhe një femër, e cila dyshohet se ka futur në kurth 31-vjeçarin. Ajo i ka thënë se e priste në Greqi, pasi i kishte gjetur punë dhe se do të qëndronin atje.

Personi me inicialet J.T është mbajtur i izoluar për tre ditë në fshatin Korinthos, ndërsa vëllait të tij në Tiranë i janë kërkuar 10 mijë euro, ndryshe do ta vrisnin. I vëllai ka bërë kallëzim në polici dhe më pas, personat e përfshirë janë vënë në përgjim.

Prova kryesore që ka prokuroria janë bisedat mes pengmarrësve, që flasin me njëri-tjetrin për mënyrën si do t’i ndanin paratë. Megjithatë, personat e ndaluar pretendojnë se 31-vjeçari i kishte një borxh prej 3 mijë eurosh një ndër personave të arrestuar në Greqi, të cilit nuk ia kishte kthyer. 

Tv Klan