Kurti ftesë Vuçiçit: Të heqim të dy targat e përkohshme

Kjo është barrikada e parë që kanë ngritur serbët në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që të çojnë në pikat doganore të Jarinjës dhe Bërnjakut.

Njësitë e Policisë së Kosovës po lënë makinat e tyre, për t’u nisur në këmbë drejt kufirit. Ata do të zëvendësojnë kolegët e tyre pas një turni 12 orësh. Njësia speciale, policia dhe zjarrfikësit do të qëndrojnë në pikat e tyre deri pas mesnate.

Gjatë rrugës njësitë e policisë kalojnë 4 barrikada me makineri të rënda të vendosura nga serbet lokalë deri në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë. Serbët vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë në Prishtinë për të vendosur reciprocitet për targat e makinave. Ndryshe nga ditët e kaluara situata duket më e qetë pasi është vënë re një rënie e numrit të protestuesve, po ashtu edhe e forcave policore.

Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi qeverinë duke i bërë një ofertë publike presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Në krahun tjetër kreu i shtetit serb këmbëngul që përpara se të dialogohet të largohen forcat policore nga veriu i Kosovës.

Brukseli vijon të kërkojë nga të dyja palët uljen e tensioneve dhe nisjen e dialogut. I fundit ishte komisionari për zgjerimin Oliver Varheji që u shpreh se “veprimet e njëanshme nuk janë asnjëherë zgjidhje pasi çojnë në tensione të panevojshme”.

Tv Klan