Mbetet i lartë numri i shtrimeve në spital


Mbetet i lartë numri i shtrimeve në spital

15:51 29/07/2020

Manastirliu: Ashpërsojmë masat për klubet e natës

Numri i shtrimeve në spital vijon të mbetet i lartë. Televizioni Klan mësoi se deri në orën 14:00 të së mërkurës, 125 pacientë janë shtruar në dy spitalet Covid në vend. Prej tyre 19 janë në terapi intensive dhe 8 të intubuar.  Sipas Ministres së Shëndetësisë, klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit.

Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera”.

Ndryshimi i miratuar në parlament në aktin normativ që ndalon klubet e natës përcakton pezullim aktiviteti për 1 vit nëse shkelet ky vendim.

“Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit, por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”.

Sipas ekspertëve, vjeshta dhe dimri pritet të sjellin një numër më të lartë të të infektuarve. Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati edhe dy spitalet e tjera, atë brenda QSUT, ish-pavioni i Kirurgjisë dhe Covid 4 në një godinë private.

Tv Klan




Të ngjashme