Mbetjet inerte nga tërmeti dhe nga industria ndërtimore problem mjedisor



Mbetjet inerte nga tërmeti dhe nga industria ndërtimore problem mjedisor

16:59 28/05/2020

Mbetjet inerte kanë pushtuar Shqipërinë në çdo cep të territorit të saj.  Problematike mbetet çështja e  trajtimit të  mbetjeve inerte të shkaktuara nga prishja e godinave si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit. Veçanërisht në rastet e prishjes së godinave, mbetjet inerte nuk janë thjesht beton, gurë, apo dhera, por ato  përmbajnë edhe substanca të tjera si qelq, dru, porcelan, tekstile, profile hekuri e çeliku, apo profile alumini, gjë që e rëndon më shumë situatën dhe rreziku i ndotjes është edhe më i madh.

Heqja e tyre është kusht për rindërtimin e banesave. Por përvec këtyre mbetjeve që qëndrojnë në qendrat e qyteteve të prekura nga tërmeti  tani në fillim të sezonit turistik ajo që të bie në sy është se  përgjatë anëve të rrugëve nacionale mes tokave të gjelbëruara, anës bregut të detit në zonat e plazheve, sasi të mëdha mbetjesh të ngurta kanë shkatërruar në mënyrë serioze dhe të pakthyeshme mjedisin. Firma të ndryshme ndërtimi pasi hapin themelet e pallateve i hedhin inertet jo në vende të caktuara sipas legjislacionit në fuqi “Për Menaxhimin e Mbetjeve Inerte”, i miratuar që në vitin 2015.

Në bazë të këtij legjislacioni, ai që shkakton mbetjet inerte  është i detyruar t’i ruajë, t’i transportojë dhe t’i dorëzojë ato në landfill apo në venddepozitimin e përkohshëm në mënyrë të diferencuar. Por kjo gjë në shumicën e rasteve nuk ka ndodhur dhe sot kemi këtë dëm të pariparueshëm në mjedisNga një vëzhgim në zonat  kryesisht pranë  Tiranës, vihet re  se mbetjet inerte janë hedhur përgjatë rrugëve,  siç është zona pranë Mulletit. Qindra ton inerte janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër. Ndërkohë që kryesisht në zonat periferike vendet e ndotura në kryeqytet janë  të panumërta.  Fshati  Tapizë,  është e mbushur me kodra inertesh të cilat  janë hedhur  vetëm ditët e fundit.

Në malin e Dajtit, përgjatë hapsirës  turistike, janë hedhur në mënyrë të jashtligjshme inerte, duke rrezikuar gjelbërimin dhe duke dëmtuar  turizmin  në këtë zonë. Edhe lumi Erzen  është  mbushur plot me inerte, të cilat  zënë shtratin e tij  dhe  për  pasojë ndikojnë negativisht në ekosistemin natyror  të burimeve ujore. Por edhe inertet që hidhen në periferi të tjera kanë një ndikim të konsiderueshëm në përmbytjen e zonave përrreth, pasi nëpërmjet rreshjeve inertet  transportohen në burimet ujore, si dhe në kanalet kulluese dhe ujitëse, duke ndikuar kështu edhe në bujqësi. Për këtë emergjencë mjedisore dhe shkatërrim të mjedisit vë alarmin dhe vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëpërmjet raportit të saj, i cili publikohet çdo vit. 

Raporti i fundit i  “Gjendjes së Mjedisit” pranon se në Shqipëri, “Mbetjet inerte, mbetjet e rrezikshme, mbetjet spitalore dhe mbetjet e kafshëve nuk trajtohen sipas kërkesave ligjore, pasi mungojnë landfillet e veçanta për depozitimin e këtyre mbetjeve siç janë mungesa e landfilleve për mbetjet e rrezikshme që mbeten emergjenca më e madhe në vend”.

Përgatiti: Qendra Monitorimit Mjedisor (QMM)



Të ngjashme