Vijon procesi i vaksinimit anti-Covid në të gjithë vendin

Afro 2500 persona janë vaksinuar në ditën e parë të vaksinimit të hapur për grupmoshën mbi 18 vjeç në Shqipëri. 

Nga 8749 injektime vaksinash të kryera të hënën në të gjithë vendin, 2517 janë doza të para dhe pjesa tjetër janë doza të dyta për personat e vaksinuar më parë.

Duke përfituar edhe nga dita zyrtare e pushimit këtë të martë, shumë qytetarë kanë zgjedhur të kryejnë vaksinën anti-Covid në stadiumin Air Albania.

“Bëra AstraZeneca dozë të parë, jam 50 vjeç”.

“Erdha për të bërë AstraZenca për t’u mbrojtur, jam 24 vjeç”.

“Nuk kam asnjë efekt anësor nga vaksina”.

Për 7 ditë me radhë çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të vaksinohet në çdo qendër shëndetësore, apo edhe pikë të vaksinimit që funksionon në vendin tonë.

Për t’u imunizuar çdo i interesuar nuk ka nevojë të bëjë aplikim apo të rezervojë vaksinim, pasi mjafton që të paraqesë pranë punonjësve shëndetësor vetëm një kartë identiteti.

Krahas vaksinimit në qendrat shëndetësore dhe pikat e organizuara të imunizimit masiv, ekipet shëndetësore do të vijojnë edhe vaksinimin derë më derë për personat që nuk kanë mundësi të lëvizin.

Tv Klan