Partia Demokratike paditi penalisht në prokurori Kryeministrin Edi Rama, ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe atë të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për shpërdorim detyre lidhur me marrjen sipas saj në mënyrë të paligjshme të të dhënave personale nga prindërit dhe pacientët.

Demokratët thonë se përmes këtij urdhri antikushtetues, Kryeministri Rama ka shkelur edhe një nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Sipas tyre ky urdhër i kreut të qeverisë është i njëtë me atë të shpallur si antikushtetues për numrin e identifikimit të çdo telefoni.

Krahas fillimit të hetimeve për shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit politik për arsye zgjedhore, selia blu kërkon njëherazi edhe pezullimin nga detyra të kryeministrit Ramës dhe ministrave të tij, me argumentin se mund të prishin provat e hetimit. 

Tv Klan