“Mbështetje prokurorisë të gjejë përgjegjësit”

Presidenti Ilir Meta ka thirrur mëngjesin e kësaj të hëne mbledhjen e Këshillit të Sigurise Kombëtare për të diskutuar mbi pasojat dhe përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Siç njofton presidenca në mbledhjen ku uli në një tryezë pas kaq kohësh debate kreun e shtetit dhe kryeministrin e vendit, është diskutuar për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. Por dhe për nisjen e hetimit për shkaktarët e punimeve jashtë standareve në shumë pallate të cilat u goditën më fortë nga vala sizmike.

Në mbledhje është rënë dakort, të mbështetet prokuroria që të çojë perpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale, të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Si dhe te sigurohen burimet e brendshme dhe mbështetja e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshem.

Presidenti ka folur për masat që duhen marrë për kapërcimin e situatës dhe me një përfaqësi profesorësh, akademikësh dhe ekspertësh të instituteve të rëndësishme universitare. Për kreun e shtetit në këtë moment, banorët e zonave të prekura nga goditja 6.3 ballë dhe shumë të tjera që po e pasojnë, kanë nevojë të qetësohen me këshilla shkencore e informacione të sakta nga njerëz të kualifikuar. Në këtë takim është rënë dakort për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për forcimin e bashkëveprimin, në mënyrë të veçantë me vendet e rajonit në përballimin e fatkeqësive natyrore.

Tv klan