Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Koalicioni i partive të majta u mblodh gjatë pasdites për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Pas gati tre orësh, Paskal MIlo nga Demokracia Sociale lexoi deklaratën e përpiluar më parë në emër të koalicionit. Në të citohet se çdo vonesë në reformën zgjedhore, përbën rrezik për zgjedhjet e ardhshme.

Partitë politike në qeverisje angazhohen për të kaluar brenda muajit projektligjin për regjistrimin e zgjedhësve për zhbllokimin e reformës zgjedhore. Por tryeza e koalicionit nuk u shpreh qartë se çdo të ndodhë me KQZ, për të cilin raporti i OSBE-së, Bashkimi Europian dhe SHBA kanë theksuar se kërkohet paanshmëri dhe se nevojitet një përbërje që të shënojë sukses.

Paskal Milo: “Problemet e KQZ duhet të trajtohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, për këtë ne mbështesim të gjitha zgjidhjet që garantojnë integritetin institucional të KQZ dhe në të njëjtën kohë rrisin besimin tek ai. Zgjidhjet që synojnë influenca apo ndikim të dukshëm apo të padukshëm në vendimmarrjen e KQZ, kërcënojnë standardet e kërkuara për zgjedhjet e ardhshme.”

Tryeza kërkon shmangie të influencave politike në KQZ, apo përpilimin e listave, por kërkon nga ana tjetër pjesëmarrje të gjerë politike në komisionet zgjedhore. 5 partitë politike në koalicion deklaruan se Kuvendi brenda kësaj legjislature do të kryejë një reformë të plotë zgjedhore, e cila do të shërbejë për procesin pasardhës elektoral. Këtë deklaratë, kreu i mazhorancës ndoshta ia la enkas aleatit të tij nga Partia Demokracia Sociale, si për të kujtuar shprehjen “puthuni me Milon”, për këto zgjedhje.

Në fakt aleatët janë larguar të kënaqur nga selia socialiste për t’u takuar sërisht muajin e ardhshëm, siç u shpreh aleancisti Neritan Ceka. Në tryezën e radhës partitë e vogla do të kërkojnë më shumë përfaqësi në bashkëqeverisjen e vendit./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj