Shqipëria u përfaqësua nga 9 sportistë, Gega dhe Calja rezultate të kënaqshme

Shqipëria e mbylli zyrtarisht garimin në Lojërat Olimpike Tokio 2020.  Të nëntë sportistët i mbyllën garat respektive.

Paraqitje të suksesshme bëri peshëngritësi Briken Calja. Për vetëm 1 kilogram, ai nuk mundi të fitonte medaljen e bronztë për peshën deri në 73 kg.

Luiza Gega ishte e fundit që konkuroi për ngjyrat kuqezi në olimpiadë. Sportistja 32-vjeçare arriti ta çojë atletikën shqiptare për herë të parë në një finale në Lojërat Olimpike, ndërsa doli e 13-ta në garën e 3000 metrave me pengesa.

Peshëngritësi tjetër Erkand Qerimaj u rendit në vend të nëntë në kategorinë deri 81 kilogramë.

Gjimnasti Matvei Petrov në disiplinën e kalit me doreza nuk arriti të sigurojë kualifikimin për në finale për vetëm 0.33 pikë. Ai u pozicionua në vendin e nëntë nga 65 garues.

Edhe atlelti Izmir Smajlaj nuk u kualifikua për në finalen e kërcimit së gjati në olimpiadë, ndërsa u rendit i 18-i në renditjen e përgjithshme.

Notarët Kledi Kadiu dhe Nikol Merizaj e mbyllën pjesëmarrjen që në raundin fillestar.

Xhudisti Indrit Cullhaj u detyrua të tërhiqej nga olimpiada, pasi pësoi një dëmtim që në ndeshjen e parë.

Qitësja Manuela Delilaj u rendit në disiplinën 10 metra pistolete me ajër në vendin e 37 nga 53 sportistë pjesëmarrës, kurse në qitje 25 metra pistoletë precizion ajo u rendit e 44-ta.

Klan News