Një foshnje e sapolindur është nxjerrë prej ekipeve të shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese në Sirinë veri-perëndimore që u shemb nga tërmeti i së hënës.

Nënës së saj i filluan dhimbjet e lindjes pak përpara katastrofës dhe solli në jetë vajzën përpara se të ndërronte jetë, tha një i afërm. Babai i saj, katër motra e vëllezër dhe një hallë gjithashtu vdiqën, raporton “BBC”.

Pamje tronditëse tregojnë një burrë që mban foshnjen në duar, mbuluar në pluhur pasi ajo u nxor nga gërmadhat në Jindayris. Një mjek i një spitali në Afrin tha se gjendja shëndetësore e saj është e qëndrueshme.

Ndërtesa ku jetonte familja e fëmijës është një prej 50 të shkatërruarave deri më tani nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë në Jindayris, një qytet nën pushtetin e opozitës në provincën Idlib që ndodhet pranë kufirit turk.

Xhaxhai i vogëlushes tha se të afërmit vrapuan për në vendngjarje kur mësuan për shembjen. “Dëgjuam një zë teksa gërmonim. Pastruam pluhurin  dhe gjetëm foshnjen me kordonin umbelikal ende të pakëputur, ndaj e premë dhe kushëriri im e dërgoi në spital”, tha ai.

Pediatri i spitalit tha se bebja mbërriti në spital në gjendje jo të mirë, “me mavijosje dhe të prera në të gjithë trupin”. “Ajo kishte hipotermi për shkak të të ftohtit të ashpër. Duhet ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium”, u shpreh Hani Maaraouf.

Foshnja u fotografua ndërsa ndodhej brenda një inkubatori, e lidhur me një serum ndërsa për nënën,  babain dhe 4 vëllezërit e motrat e saj u mbajt një funeral i përbashkët./tvklan.al