Katalanasit ofertë 10-vjeçare Messit, kontratë për brenda dhe jashtë fushe

Kur u duk se gjithçka po merrte fund, në orët e fundit po flitet më shumë për qëndrimin e Lionel Messit te Barcelona sesa largim të tij. Sulmuesi argjentinas ka marrë një propozim të veçantë nga klubi, një kontratë 10-vjeçare. Presidenti Joan Laporta nuk ka ndër mend që ta lerë të ikë nga katalanasit dhe për këtë arsye, ka përgatitur një ofertë unike që mendon se mund të kënaqë argjentinasin. Do të jetë një kontratë e ndarë në 3 etapa. E para i përket vazhdimit si futbollist aktiv te Barcelona edhe për dy sezone.

E dyta, katalanasit janë të gatshëm të vazhdojnë të paguajnë me shifra relativisht të larta Messin kur ai të transferohet në MLS. Mendohet se Amerika është destinacioni i radhës, mundësisht me Inter Miami i menaxhuar nga Devid Beckham. Gjatë periudhës që do të aktivizohet në SHBA, Messi do të jetë ambasadori i markës së Barcelonës përtej Atlantikut. Dhe nuk bëhet fjalë për një ambasador dosido.

Etapa e tretë parashikon që ai të kthehet te Barça dhe të bëhet pjesë e departamentit sportiv të saj, kurdo që të vendosë që të mbyllë karrierën si futbollist. Një plan 10-vjeçar, që mendohet se do të bindë Messin të hedhë firmën në marrëveshjen e tij me katalanasit.

Messi nuk është përgjigjur ende, pasi kërkon më parë të dijë se cili do të jetë projekti sportiv i dy viteve të ardhshme te Barcelona, para se të vendosë nëse do të pranojë që të mbetet pjesë e klubit si futbollist apo jo.

Klan News