Pandemia e Covid-19 në Shqipëri ka shkaktuar shqetësim në të gjithë sektorët e jetës, e sidomos në sistemin arsimor. Shkollat po funksionojnë përmes mësimit nëpër klasa duke respektuar protokollet shëndeëtore, e disa të tjera po zhvillojnë mësim online.

Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në gjimnazin “Isa Boletini” në Vorë, ku zhvillon mësim edhe shkolla 9-vjeçare e Vorës, pasi ndërtesa e kësaj të fundit është prishur.

Drejtoresha e shkollës prej dy javësh qëndron në shtëpi, pasi është infektuar me Covid-19. Gjithashtu edhe 4 mësues të tjerë janë infektuar dhe po qëndrojnë në shtëpi. Në këtë moment është testuar i gjithë stafi i mësuesve. Por mësimi ka vijuar normalisht, pa dalë ende rezultati i tamponëve.

Gazetarja e emisionit “Stop” ka shkuar në këtë shkollë dhe ka takuar nëndrejtoreshën. Kjo e fundit fillimisht nuk e pranon që drejtoresha ka dalë pozitive, por thotë se është më raport. Ndërsa mohon që ndonjë mësues të ketë shfaqur shenja të sëmundjes.

Nëndrejtoresha: Ato mësues që kanë dalë, janë mbyll në shtëpi.

Gazetarja: Pse ua keni bërë tamponin, kur nuk kanë asnjë lloj shenje?

Nëndrejtoresha: I bëmë ngaqë dolën ato të tre, për siguri.

Gazetarja: Po, për siguri. Ata të tre, drejtoresha, mund të ketë prindër fëmijë, fëmijë…Situata jashtë në oborrin tuaj, tani që po hynin mësuesit dhe nxënësit, ishin jo siç po mbajmë ne distancën tani, por ishin ngjit e ngjit. Si po mbahet, si po ruhen?

Drejtoresha: Ne tani po i rrimë të gjithë në kokë. Kemi vetëm një grup, pastaj ikin në shtëpi, do bëjnë mësim online grupi tjetër.

Gazetarja: Po pse për një grup vazhdon kështu dhe grupi tjetër jo kështu?

Nëndrejtoresha: Javën tjetër pastaj, do të kalojë.

Gazetarja: Pse po vazhdon një grup kështu dhe një grup online?

Nëndrejtoresha: Nga kjo situatë.

Gazetarja: Pse nuk mund të vazhdojnë të gjithë online?

Nëndrejtoresha: Nuk mund ta vazhdojmë, se nuk na lejnë prindërit. Nëse shëndetësia do më japi përgjigje, sikur edhe një rast të dalë.

Gazetarja: Jo, pra jo e vendos ti, pa dalë. Kjo periudha 3 ditore, para se të dali tamponi, është shmangie dhe parandalim i diçkaje, që mund të vijë.

Nëndrejtoresha: E bëjmë këtë.

Gazetarja: Kur do ta bësh?

Nëndrejtoresha: Këtë e bëjmë.

Gazetarja: Kur?

Nëndrejtoresha: Ja e bëjmë.

Gazetarja: Do ta ndalosh mësimin?

Nëndrejtoresha: E ndaloj unë. Që nesër marr masat, e bëj.

Gazetarja: Ok! Kur të dali tamponi…

Nëndrejtoresha: Këtë e bëj. Do njoftoj tani Zyrën Arsimore.

Gazetarja e “Stop” bisedoi edhe me Qendrën Shëndetësore të Vorës, të cilët thonë se vendimin për pezullimin e mësimit dhe zhvillimin online e merr institucioni arsimor.

Gazetarja: Tani në momentin që dalin 5 mësues ose 4, përfshirë këtu drejtoreshën. Është bërë tamponi i mësuesve. A nuk duhet të pritet, sa të dali përgjigja?

Drejtoresha: Patjetër! Personat, që ka ardhë konfirmimi pozitiv, këto persona janë vetëkarantinuar. Dëgjo, ne dyshojmë, kur mund të jenë persona kontakti.

Gazetarja: Sado rregulla, unë kam prekur një tavolinë, që e prek dhe nxënësi dhe e prek dhe nxënësi tjetër, kur vjen.

Drejtoresha: Patjetër që e dimë!

Gazetarja: A është e vërtetë kjo gjë, që po them?

Drejtoresha: Patjetër, që është e vërtetë.

Gazetarja: Atëherë, pse duhet të vazhdojë mësimi normalisht? Pse nuk i është thënë dhe nga ju, që të ndërpritet mësimi të paktën për tre ditë, sa të dali përgjigjia?

Drejtoresha: Vendimet tani i merr shkolla për ato… Çdo institucion i merr vetë vendimet.

“Stop” u interesua edhe pranë Zyrës Arsimore të Vorës, të cilët thonë se mësimi nuk ndërpritet sepse nuk duan prindërit. Sipas këtij institucioni, janë autoritetet shëndetësore ato që vendosin nëse mësimi duhet të zhvillohet online.

Gazetarja: Ky është problemi, që po vazhdon normalisht dhe pse kanë bërë tamponin.

ZA Vorë: Absolutisht! Shëndetësia e vendos, se cfarë do vazhdojë me…Aty po vazhdon procesi mësimor normalisht, sepse nuk ka sesi të mbyllim ne, sepse nuk kemi…Këto tre mësues është normale, që janë vetëkarantinuar. Aty janë marrë masat, që mësimi të vazhdojë. Mësuesit nuk kishin probleme. Është bërë për të parapri, sepse janë jetë fëmijësh. U pa e përshtatshme, që turni katërt të bëhej online për shkak të errësirës. Tani ka kaluar. Për shkak se u prish koha dhe jo për mësues, se aty ka mësues.

Gazetarja: Nëndrejtoresha ma tha ndryshe por gjithsesi.

Ndërsa në Qendrën Shëndetësore të Vorës konfirmojnë se rezultatet e tamponit dolën pozitive për tre mësues të tjerë, duke e çuar numrin e të infektuarve në këtë shkollë në 7.

Drejtoresha: Sapo më doli përgjigja e mësuesve që ishte pozitiv …

Gazetarja: Sa raste të rinj dolën?

Drejtoresha: Ishin 7 raste pozitiv në total. Duke parë, që nuk është vatër burimi…

Gazetarja: Nuk është vatër?

Drejtoresha: Nuk ishte vatër burimi. Nuk është pjesë, për të pezulluar shkollën.

Gazetarja: Dhe sa raste duhen, që të pezullohet mësimi?

Drejtoresha: Ja një sekondë, të nxjerr atë emailin, që kemi komunikuar me doktorin!

Biseda me epidemiologun:

Epidemiologu: Rastet nuk janë të gjitha menjëherë. 7 rastet e konfirmuara pozitivë, nuk kanë qenë raste të verifikuara brenda një dite. Kanë qenë raste të verifikuara për një periudhë 10-ditore dhe sipas hetimit dhe gjurmimit, infeksioni është marrë jashtë shkollës. Tek pjesa e kontakteve të tyre jashtë shkollës.

Gazetarja: Në momentin që këta kanë dalë dhe kanë qenë aktualisht duke dhënë mësim normalisht në shkollë, nuk konsiderohet vatër për pezullimin e mësimit?

Epidemiologu: Jo, nuk konsiderohet vatër, sepse konsiderohet, kur verifikohet që burimi i infeksionit është brenda shkollës.

Gazetarja: Cili ka qenë burimi i marrjes së Covid?

Epidemiologu: E kanë marrë nga jashtë. Secili në mënyrë individuale, në personat familjarë, ose në kontaktet jashtë shkollës.

Gazetarja: Si e vërtetuat ju këtë?

Epidemiologu: Nëpërmjet hetimit, pyetjes dhe kontaktimit me këta persona, gjithë pjesës së hetimit dhe gjurmimit.   /tvklan.al