Meta kthen për rishqyrtim një ligj



Meta kthen për rishqyrtim një ligj

17:30 02/06/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend një tjetër ligj. Bëhet fjalë për ligjin për shërbimet e pagesave, i cili është miratuar nga Kuvendi më datë 30 Prill 2020.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Meta thotë se rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, megjithatë aty paraqiten disa mangësi.

“Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje”, thuhet në arsyet e Metës.

Sipas Presidentit, këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit./tvklan.al



Të ngjashme