Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi se nuk do të ketë asnjë kompromis individësh me zyrtarët e Partisë Socialiste. Në shtator starton me fillimin e sesionit të ri parlamentar dhe forca e re politike e socialistëve.

Ilir Meta: “Askush nuk duhet të ketë iluzione se Partia Socialiste mund të shpëtojë me kompromise individësh dhe karrikesh për në parlamentin e ardhshëm. Në të kaluarën, nëse ndonje kompromis i tillë është bërë duke menduar se do t’i shërbente stabilitetit të Partisë Socialiste, ka rezultuar, nga përvoja, i dëmshëm, pasi i ka shërbyer vetëm akumulimit dhe agravimit të mëtejshëm të problemeve politike, ekonomike dhe sociale që ka vendi si rezultat, pra, i degradimit dhe personalizmit të kësaj force politike. Askush nuk duhet të ketë në iluzion në të ardhmen se platforma për integrim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim synojnë thjesht integrimin në struktura politike apo forume politike të Partisë Socialiste të disa deputetëve apo ish-zyrtarëve socialistë të përjashtuar apo të larguar nga këto forume. Nuk ka më kompromis midis figurave kryesore apo anësore të Partisë Socialiste. Fillimi i shtatorit, pra deklarimi i përkatësisë politike të deputetëve sipas grupeve parlamentare dhe sipas procedurave të parlamentit, është vetëm afati i fundit për afirmimin e mëtejshëm dhe përfundimisht institucional të gjithë kësaj alternative politike që përfaqësojmë ne.”

Lëvizja Socialiste për Integrim është e hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të majta. Koalicioni qeverisës për integrim nuk funksionoi për shkak të politikës diversioniste dhe përçarëse të lidershipit socialist. Kjo solli, sipas tij, përçarje të koalicionit ashtu sikudër dhe përçarje të Partisë Socialiste. Pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Ilir Meta deklaroi se kongresi amerikan sheh si provë të rëndësishme përforicimin e institucioneve në vend, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe pa manipulime. /tvklan.al