Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, Presidenti Meta u  shpreh: 

“Kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit. Është rezultat i shqetësimit tonë të përbashkët. Por është gjithashtu rezultat i domosdoshmërisë për një reagim kolektiv e të përbashkët në partneritet dhe solidaritet brenda një kuadri shumëpalësh.

Të gjitha vendet tona, qoftë ato të origjinës, të tranzitit apo të vendmbërritjes, preken nga migrimi. Dhe me përvojën që kemi pasur kemi mësuar se mund ta trajtojmë këtë dukuri vetëm në partneritet, sepse është një proces shumë i vështirë dhe kompleks.

Kreu i Shteti tha se është duke punuar me vendet europiane dhe vendet e tjera fqinje për t’u përballur dhe kapërcyer sfidat e migracionit.

“Ne jemi duke punuar ngushtësisht me vendet europiane dhe vendet e tjera fqinje për t’u përballur dhe kapërcyer sfidat e migracionit. Kohët e fundit kemi nënshkruar një Marrëveshje për Statusin me Agjencinë Europiane të Kufitarit dhe të Bregdetit. Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim më të mirë dhe më të koordinuar operacional midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian për çështjet e migracionit.

Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin për të përgatitur një plan emergjence duke pasur parasysh zhvillimet aktuale”.

/tvklan.al