Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë këtë të hënë në Samitin e Klimës “COP24” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Katovicë të Polonisë.

Në fjalimin drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse, Meta theksoi “rëndësinë e balancës pozitive mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe masave tranzitore që ulin efektin serrë”.

Kreu i shtetit po ashtu ndau edhe shqetësimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë pasojat e katastrofave natyrore prej ndryshimit klimatik.

Shqipëria, si një vend mesdhetar, është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në trendet klimaterike, ndaj ngjarjeve të shpeshta dhe ekstreme që ndikojnë në shumë rajone, sektorë të turizmit dhe të energjisë, por mbi të gjitha mbi jetën e popullit tonë. Këto dukuri kanë rritur vetëdijen tonë dhe janë ndeshur me përgjigjen tonë të thjeshtë, por të vendosur, për të vazhduar me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Parisit. Ne kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar me angazhimin për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në nivelin 11.5%

“, tha Meta.

Kreu i shtetit tha se së shpejti do të kemi funksional një sistem kombëtar që ruan një inventar të emetimeve të gazrave serrë dhe masave të nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen, në vazhdën e ligjit të ri mbi Ndryshimet Klimaterike, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian./tvklan.al