Ministri i Rendit Luan Rama sqaron pozicionin e tij pas akuzave që i drejtoi gjatë një seance në kuvend kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Luan Rama: Kisha parasysh edhe faktin që zoti Berisha artikulon me të madhe në lidhje me një takim timin me zonjën Dade , pas incidentit apo ngjarjes ku kërkoheshin nga policia dhe dy djemtë e zonjës Dade. Unë e kam pritur zonjën Dade në zyrë pikë së pari si nënë. Siç do të prisja çdo nënë tjetër që do të kishte një problem të tillë me fëmijët e saj. E kam pritur edhe si grua, e kam pritur edhe si kolege. Çështja është trajtuar me shumë seriozitet nga organet e specializuara, nuk është mbyllur si çështje, është në organin e prokurorisë dhe unë kam biseduar me prokurorin e përgjithshëm që organet e prokurorisë dhe policia gjyqësore ti shkojnë me seriozitet deri në fund çështjes për të zbuluar të vërtetën, implikimin, përgjegjësinë dhe ndëshkimin ligjor të cilitdo.

Kreu i Rendit gjeti rastin ta bëjë këtë sqarim pas fjalës së tij lidhur me ngjarjet dhe arritjen e Ministrisë së Rendit për vitin 2002. Ndjekja penale për më shumë se 100 policë, nisja e hetimeve për skandalin e pasaportave dhe operacioni për luftën kundër trafikut të klandestinëve dhe atij të drogës u cilësuan si suksese të Ministrisë së Rendit për këtë vit.

Luan Rama: Shqipëria nuk është njolla e zezë e Ballkanit, përsa i përket krimit, trafiqeve apo çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme. Këtë nuk e them i shtyrë nga retorika patriotike, por e them me përgjegjësi të plotë politike, e them me përgjegjësi të plotë qytetare. Do të duhet së bashku ne të fokusohemi më mirë te pasqyrimi i asaj çfarë është në të vërtetë realiteti shqiptar për përgjithësimin e të cilit shpesh herë qarqe zyrtare ose jo, ose qarqe mediatike të huaja marrin preferencë deklarata shpeshherë të papërgjegjshme të politikanëve apo të përfaqësuesve të ndonjë organizimi të çuditshëm brenda vendi që japin statistika dhe shifra që nuk pasqyrojnë aspak realitetin apo të vërtetën ashtu siç është në Shqipëri./tvklan.al