Pas marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, tani Greqia synon të zgjidhë edhe problemet me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka folur për marrëveshjet që pritet të firmosen me palën shqiptare për zgjidhjen e probleme të mbartura ndër vite.

Duke folur nga Moska ku kishte shkuar për vizitë, Kotzias përmendi paktin detar, përmbajtjen e teksteve shkollore, ndërsa për çështjen çame theksoi se nuk është në tryezën e bisedimeve.

Këto çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, ministri Kotzias synon që t’i zgjidhë përpara se të nisë pushimet verore.

“Diplomacia është një detyrë për të zgjidhur problemet. Jemi në një proces për të zgjidhur çështjet që kanë mbetur pezull me Shqipërinë për 30 deri në 80 vitet e fundit. Para se të shkoj me pushime, do t’i kem zgjidhur këto probleme, në të kundërt nuk ka pushime për mua. Tani që po dalim nga kriza ekonomike, ne besojmë se stabiliteti në Ballkan mund të na ndihmojë të zhvillohemi së bashku

“, ka thënë ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Ditën e djeshme, Greqia dhe Maqedonia zgjidhën çështjen e emrit, një problem i hapur mes dy vendeve për 27 vitet e fundit. Me arritjen e kësaj marrëveshje, Maqedonia do të quhet “Republika e Maqedonisë Veriore”.

/tvklan.al