Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ashtu si kryeministri Nano tërhoqi vëmendjen e hodhi akuza dy javë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë edhe ministri Xhani u ka kërkuar sqarime e llogari, drejtuesve të Sigurimeve Shëndetësore, për abuzime në rritjen e çmimit të barnave. Në kontrollet tuaja, u shpreh ministri Xhani, keni të caktuar një çmim, atëherë, pse një pensionit e ble 20 lekë më tepër një barnë.

Ministri Xhani i ka kërkuar llogari drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë,  se çfarë është bërë për të minimizuar rritjen e këtij çmimi.

Mustafa Xhani:- “Unë nuk dua që të dëgjojë në farmacitë me kontratë, që qytetarët të paguajnë më shumë se sa çmimi që ka vendosur këshili i ministrave. Kjo është një nga pikat që duhet qëndruar shumë rëndë. Këtu nuk falet, nuk spekulohet me moshën e pensionistëve, nuk spekulohet me padijeninë e tyre, pra i del detyrë edhe ISSH, që të sqarojë mirë listën e barnave, dmth. nuk na duhen intervistat shterp, por na duhen intervista të cilat sqarojnë atë pjesë të popullatës. Prandaj farmacitë nuk janë dyqane domatesh e kastravecësh, të cilat mund ta rrisin çmimin si të duan, por shteti i ka vënë një tavan, që ai ka të drejtë të fitojë deri në 27%. Mbi këtë ta mbylli nëse nuk ka leverdi”.

Këto fjalë janë thënë, pas analizës së drejtorit të ISSH Gjergji Leka, ku dominonin arritjet e këtij instituti, e më pak ka pasur shkelje. Sipas drejtorit Leka, barnat e rimbursuara ilegalisht, kanë sjellë rritjen e çmimit në disa farmaci. Janë bllokuar depo farmaceutike, me barna kontrabandë, njëkohësisht dhe janë ndërprerë kontratat në 71 farmaci dhe 8 kontrata mjekësh./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti