Presidenca: Edhe falsifikatore edhe krenare

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, zgjodhi të reagojë në rrjetet sociale pas kallëzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta këtë të hënë në SPAK. Ajo thotë se reagimi i saj ka për të qenë institucional ndaj akteve të tij. Ndërsa vetë Presidentit, ministrja thotë se do t’i përgjigjet me kulturë dhe etikë.

“Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim. Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë”, shkruan ajo në Twitter.

Këtë histori, ministrja e konsideron absurde, megjithatë sheh që Presidenti ka bërë një hap të duhur pasi ka njohur institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.

Gjonaj thotë se është koha që të veprojë drejtësia dhe Presidenti ta pranojë punën e saj edhe ditën kur të fillojë të godasë politikanët dhe zyrtarët e lartë të njohur për korrupsion dhe krime në vend.

“Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë”, shkruan ministrja.

Por e menjëhershme ishte edhe replika e Presidencës. Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi shkroi në rrjetet sociale: Edhe falsifikatore edhe krenare! Ti qofsh moj çupë!

Presidenti Ilir Meta kallëzoi këtë të hënë në SPAK, ashtu siç paralajmëroi disa ditë më parë, ministren Etilda Gjonaj dhe dy funksionarë të lartë, sekretarin e Përgjithshëm, Gentian Deva dhe drejtoreshën e Qendrës së Botimeve Zyrtarë, Etleva Haxhia.

Presidenti e quan aktin e ministres dhe dy funksionarëve të saj si mafioz duke tentuar grushtin e shtetit dhe duke rrëmbyer përmes falsifikimit një kompetencë që i takon vetëm Presidentit./tvklan.al